Instituti Shqiptar për Çështjet Publike – AIPA, në kuadër të projektit “Për një Mjedis dhe Zhvillim të qëndrueshëm: Mendo SAFE – Organizo SAFE – Vepro SAFE”, ka vijuar me zhvillimin e fushatës informuese në shkollën e mesme “Besnik Sykja” dhe në shkollën e mesme profesionale “Gjergj Canco”.
Përgjatë orëve të hapura informuese dhe ndërgjegjësuese, nxënësit e këtyre dy gjimnazeve janë informuar lidhur me rëndësinë e parandalimit të krizave dhe emergjencave civile dhe natyrore, sidomos të atyre që shkaktohen nga vetë dora e njeriut. Gjithashtu, Eksperti i kontraktuar nga AIPA z. Demir Osmani ka ndarë disa këshilla praktike lidhur me mënyrat dhe mekanizmat e mbrojtjes në rast rreziku nga tërmetet, përmbytjet, kantjerët e ndërtimit, etj.
Projekti “Për një Mjedis dhe Zhvillim të qëndrueshëm: Mendo SAFE – Organizo SAFE – Vepro SAFE” po zbatohet nga Instituti Shqiptar për Çështjet Publike, me mbështetjen e Agjencia per Mbeshtetjen e Shoqerise Civile – AMSHC.