Parandalimi i Terrorizmit

Ky Program synon të nisë një iniciativë për ngritjen e kapaciteteve në mbarë rajonin në Ballkanin Perëndimor për zhvillimin e mjeteve dhe qasjeve të avancuara për të parandaluar dhe luftuar aktivitetet terroriste dhe ekstremizmin e dhunshëm. Ai synon të koordinojë dhe institucionalizojë të gjitha përpjekjet dhe burimet njerëzore përkatëse, në nivel lokal dhe rajonal, për fuqizimin e të rinjve, familjes, grave, minoriteteve dhe grupeve sociale vulnerabël, nëpërmjet projekteve aplikative dhe angazhimit të drejtpërdrejtë të grupeve arsimore, kulturore, fetare dhe grupeve të tjera sociale.

Ashtu si fatkeqësitë natyrore, terrorizmi dhe ekstremizmi i dhunshëm nuk njohin kufij. Ato janë bërë një kërcënim i përhershëm për individët, komunitetet lokale apo edhe komunitetet rajonale. Ato janë bërë gjithashtu një kërcënim i prekshëm për demokracinë, stabilitetin, shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi. Për të adresuar këto fenomene shumë komplekse, ky aktivitet i Programit SAFE fokusohet në përpunimin dhe aplikimin e qasjeve sistematike gjithëpërfshirëse dhe shumëdimensionale për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët kombëtarë, rajonalë dhe ndërkombëtarë, në fushat prioritare, të tilla si:

  • Promovimi i arsimit si një element i domosdoshëm dhe i pazëvendësueshëm i tolerancës, mosdiskriminimit dhe mirëkuptimit;
  • Promovimi i ri-integrimit social dhe rehabilitimi i personave të dhunshëm ekstremistë dhe luftëtarëve të huaj terroristë;
  • Puna me grupet dhe popullatat vulnerabël për parandalimin dhe luftimin e radikalizimit dhe aktiviteteve të ekstremizmit;
  • Kryerja e hulumtimeve dhe ofrimi i shërbimeve të trajnimit për palët e interesuara;
  • Krijimi i mekanizmave të paralajmërimit të hershëm dhe platformave dixhitale për sensibilizimin e aktorëve lokalë dhe rajonalë, palëve të interesuara dhe grupeve apo komuniteteve vulnerabël;
  • Ndihma e aktorëve shtetërorë dhe jo-shtetërorë në hartimin dhe zbatimin e planeve të veprimit dhe strategjive për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.