Krijimi i Qendrës Shqiptare të Shkencave Mjeko-Ligjore (ALCEFS = Albanian Center of Forensic Sciences) është konceptuar si një nismë ndërdisiplinore ndërmjet Universitetit Barleti, Institutit Italian të Shkencave Mjeko-Ligjore, dhe aktorëve dhe palëve të tjera përkatëse. Kjo iniciativë është në kohën e duhur për shkak të nevojës reale për një shërbim të tillë në Shqipëri. Ekspertizat mjeko-ligjore dhe shërbimet mjeko-ligjore ofrohen deri më tani vetëm nga një numër shumë i kufizuar ekspertësh profesionistë të cilët punojnë kryesisht për institucionet shtetërore si Instituti i Policisë Shkencore.
Duke qenë se incidentet aksidentale apo të qëllimshme, falsifikimi apo mashtrimi, krimi apo vjedhja në rrugë, krimi i organizuar apo terrorizmi, janë një sfidë jo vetëm për individët dhe shoqërinë, por edhe për organet ligjzbatuese dhe sistemin e drejtësisë, kjo nismë synon të ndihmojë dhe mbështesë të gjithë, individin, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe sistemin e drejtësisë, që identifikimi shkencor i fakteve dhe provave të konsiderohen dhe përdoren në mënyrë të drejtë dhe shkencore në gjykatë.

Veprimtaritë e ALCEFS parashikohen të funksionojnë sipas linjave të veçanta, të cilat në mënyrë sistematike koordinojnë dhe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën nëpërmjet njësive hetimore përkatëse dhe konsistojnë në:
- Njësia e Analizës Kriminologjike, Psikologjisë Ligjore dhe Sigurisë Operacionale (Njësia AKPLSO).
- Njësia e Hetimit të Vendit të Krimit (Njësia e HVK).
- Njësia e Hetimit të Zjarrit dhe Shpërthimit (Njësia HZSh).
- Njësia e Inxhinierisë Ligjore (Njësia IL).
- Njësia e Forenzikës Dixhitale, Kompjuterike dhe Mobile (Njësia e FDKM).
- Njësia e Hetimit të Falsifikimit dhe Mashtrimit (Njësia HFM).
